Shoqëria civile i kërkon kryeministrit zëvendësimin e Ministrit të Arsimit dhe zëvendësit të tij

Shoqëria civile i ka quajtur goditje të radhës për arsimin, emërimin e Ramë Likaj ministër dhe të Driton Bardhecit, zv.ministër.

Në një letër të firmosur nga 13 organizata të shoqërisë civile, kërkohet nga kryeministri Avdullah Hoti, që t’i largojë nga kabineti i tij Likajn e Bardhecin dhe t’i zëvendësojë me të tjerë.

“Ne, organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile që punojmë dhe e përkrahim fushën e arsimit jemi thellësisht të alarmuar me goditjet e radhës që i bëhen arsimit në Kosovë nën Qeverinë Hoti. Emërimi i z. Ramë Likaj në pozitën e ministrit dhe z. Driton Bardheci në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) janë vendime të papranueshme për cilindo qytetar të Kosovës që e dëshiron një arsim cilësor, relevant dhe serioz. Kërkojmë nga kryeministri Hoti që t’i largojë nga kabineti i tij këta anëtarë dhe t’i zëvendësojë ata me profile që kanë aftësi dhe integritet për t’i çuar përpara reformat që janë urgjentisht të nevojshme në arsim”, thuhet në letrën e firmosur nga: Admovere, BIRN Kosova, CPC – Center for Political Courage, D4D – Demokraci për Zhvillim, Education Comes First, ETEA, FIQ – Forumi për Iniciativa Qytetare, KCSF – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KYC – Kosovar Youth Council, ORCA. Sbunker, Teach for Kosova dhe TOKA – Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim.

Sipas këtyre organizatave, ministri aktual, Likaj, nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

“Ndonëse SCOPUS (databaza më e madhe globale e publikimeve akademike që janë ‘peer-reviewed.’) i ka përjashtuar për plagjiaturë revistat në të cilat z. Likaj ka publikuar punimet e tij shkencore, ky fakt nuk e ka penguar avancimin e tij brenda universitetit publik, ashtu sikurse as emërimin e tij në krye të dikasterit më të lartë të arsimit në Kosovë”, thuhet në letër.

Po ashtu është kritikuar edhe zv.ministri Bardheci, pasi është zbuluar se ende është student i vitit të tretë në Universitetin Publik.

Të dy janë propozuar nga AAK-ja si partnere e koalicionit.

“Ndërsa, z. Bardheci nuk ka asnjë kualifikim apo përvojë adekuate për këtë përgjegjësi. Përveç tjerash, emërimi i tij në këtë pozitë me përgjegjësi ekzekutive paraqet konflikt interesi në raport me organet e universiteteve publike duke qenë se z. Bardheci është ende student i nivelit Bachelor në Universitetin e Prishtinës, mbi të cilin tanimë ka kompetenca ekzekutive.

Raporti i vitit 2020 i Bankës Botërore thekson se shkalla e analfabetizmit funksional te 15-vjeçarët në Kosovë është deri në 78%. Ndërsa, rezultatet e testit ndërkombëtar PISA vënë në pah mangësitë e politikave arsimore, si pasojë e të cilave nxënësit kanë shënuar rezultate të dobëta në fushën e shkencës, leximit dhe matematikës”, thuhet në letër.

Shoqëria civile vlerëson se dalja nga kjo situatë në të cilën gjendet arsimi mund të bëhet vetëm me persona me etikë profesionale, ekspertizë dhe ide të qarta për avancimin e cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës.

“Prandaj, duke marrë për bazë të gjitha çështjet e lartëcekura, ne organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile, kërkojmë që kryeministri Hoti të dëshmojë me vepra se është i përkushtuar për një qeverisje të ndershme dhe kompetente duke: Vendosur një ministër/re të Arsimit dhe Shkencës me aftësi dhe integritet të duhur për të udhëhequr këtë ministri strategjike për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës; Vendosur zëvendësministër/re të Arsimit dhe Shkencës i/e cili/a përfaqëson një standard të kualitetit dhe përkushtimit për t’i mbështetur fuqishëm reformat në arsim; Funksionalizuar procesin e vetingut të stafit akademit të universiteteve publike brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij. Kërkojmë takim me kryeministrin Hoti për t’i adresuar këto kërkesa në shoqërim të miqve ndërkombëtarë. Për shkak të urgjencës së problemit kërkojmë që ky takim të ndodhë deri më 30 qershor 2020”, thuhet në letrën e organizatave joqeveritare.