Shpend Ahmeti: Mos dilni në shesh të shtunën, koncerti i Sabri Fejzullahut do të dëgjohet në krejt Prishtinën!

Shpend Ahmeti, deklaroi se sirenat në qytet në rast të ndonjë emergjence janë gati.

Ahmeti po ashtu theksoi se këto sirena i lëshojnë të shtunën e parë të muajit për të parë gatishmërinë e qytetarëve, njofton Klan Kosova

“Çdo të shtunë të muajit e lëshojmë sirenën me pa se çfarë janë në gjendje të bëjnë qytetarët, në rast se duhet sirenat i kemi gati”.

Ahmeti në Rubikon bëri thirrje edhe për mos grumbullim të qytetarëve pasi kështu detyrojnë inspektorët që t’i dënojnë.

“Mos na detyroni që të shkruajmë dënim 3 mijë euro, nuk besoj se ndonjë inspektor ka dëshirë të shkruaj denim.Ka arrestime dhe ka njerëz që janë dërguar në mbajtje, nëse mjeket karantina këto ditë ne i largojmë rreth 24 patrulla statike të Policisë që janë duke e bërë mbarëvajtjen e rendit”.

Ahmeti mes tjerash bëri thirrje që kushdo që sheh njerëz të mbledhur le të lajmërojë komunën.

“Nëse keni raste që shihni se janë mbledh njerëz lajmëroni në komunë dhe lajmërohet inspektorati, ne nuk mund të monitorojmë gjithçka që bëhet në Prishtinë meqë është e pamundur mirëpo po punojmë me të gjitha kapacitetet”.

Ahmeti po ashtu deklaroi se duhet të rishikojnë buxhetin por asesi të kursejnë meqë do e shpenzojnë aty ku duhet.

“Buxheti i ka dy anë shpenzime dhe të hyrave pra planifikim i shpenzimeve dhe të hyrave, të hyrat tona janë që vijnë nga granti qeveritar e marrim 4 herë në vjet dhe mund ta rrezikojmë, duke mbledhë Qeveria dhe duke shpenzuar, kanë ra pagesat e tatimit në pronë dhe kemi shty pagesat për ndërtim, kemi shty pagesat e terasave dhe në këtë mënyrë duhet ta rimendojmë buxhetin por jo të kursejmë”.

Ahmeti mes tjerash ka folur edhe rreth aktiviteteve të ndryshme që ka organizuar komuna, ku njëri prej tyre është edhe koncerti i këngëtarit të mirënjohur Sabri Fejzullahu, që do të mbahet të shtunën në shesh duke filluar nga ora 20:00.

Ahmeti tregoi se koncerti i Sabri Fejzullahut do të dëgjohet në çdo lagje dhe bëri thirrje që qytetarët të mos dalin në shesh.

“Të shtunën e kemi koncertin e Sabri Fejzullahut, që do të këndojë 10 këngë në shesh, por ju mos dilni në shesh meqë do të ketë zërim në çdo lagje të Prishtinës”.

Ahmeti mes tjerash bëri thirrje tek secili qytetarë që ka nevojë për ndihmë të flasë me dikë ose ka probleme me depresionin të kontaktojë në linjat e komunës. //KosovoInsights