Shqipëria dhe gjithë shqiptarët festojnë sot 108-vjetorin e Pavarësisë

Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali, derisa në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, traansmeton “Kosovo Insights”.

28 nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Më 28 nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.

“Fqinjët tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”, tha ndër të tjera Ismail Qemali kur ngriti flamurin në Vlorë.

Në fjalën e tij, patrioti i madh nënvizoi se, në kushtet e krijuara, e vetmja rrugë për shpëtimin e atdheut, ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia dhe shpallja e pavarësisë.

Ky propozim u miratua unanimisht nga delegatët që nënshkruan edhe dokumentin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë dokument theksohej mes të tjerash se “Shqipëria me sot, të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Në këtë kuvend u krijua edhe Qeveria e Përkohshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar. Menjëherë pas kësaj, u shpall Qeveria e Përkohshme, si dhe u zgjodhën anëtarët e senatit, i përbërë nga 18 anëtarë, me kryetar patriotin Vehbi Dibra.

Në përbërjen e qeverisë dhe të senatit u zgjodhën njerëz me kontribut të spikatur atdhetar dhe përfaqësues të të gjitha trevave e të tri besimeve fetare. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare nga të gjithë delegatët, transmeton “Kosovo Insights”.

Në orën 17.30 të datës 28 nëntor, Ismail Qemali, doli në ballkonin e godinës ku u mbajt Kuvendi dhe njoftoi Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, duke ngritur Flamurin e qëndisur nga atdhetarja Marigo Posio.

Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Pavaresise shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë,per shkak se kombi shqiptar ishte i rrëzikuar nga vendet fqinje sepse kishte nje vlerë të madhe gjografike dhe strategjike.//Kosovo Insights