Shteti i Kosovës është dërguar edhe një herë në Arbitrazh

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca muaj më parë nga Banka Qendrore e Kosovës, e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, raporton gazeta “Kosovo Insights”.

“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhet në njoftimin e Lute Credit.

Një gjë e tillë ka alarmuar institucionet e vendit.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar se është takuar sot me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmetin, e në takim ka njoftuar se ka qenë i pranishëm edhe avokati i përgjithshëm i shtetit, Sami Istrefi.

Selimi ka shkruar në Facebook se e ka siguruar BQK-në se do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjor për këtë çështje.

“Për këtë çështje Guvernatorin Mehmeti e sigurova që Qeveria e Kosovës, respektivisht ministria e Drejtësisë do t’i ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm ligjor për këtë çështje. Ministria, në këtë rast Avokati i Shtetit kërkon që sa më shpejt të merret vendimi për procedurat në mënyrë që afatet ligjore të Tribunalit të mos na ndëshkojnë. Askush nuk mund të përfitojë duke dëmtuar qytetarët, por as duke shkelur ligjin që është në fuqi”, ka shkruar ai.

Arbitrazhi është i ngjashëm me një procedurë gjyqësore, por në vend të një procedure para një gjyqëtari, arbitrazhi kryhet para personave të zgjedhur të quajtur arbitra.

Është një mënyrë neutrale, private dhe konsensuale për të zgjidhur konfliktet. Për më tepër, vendimi që jepet është i detyrueshëm dhe duhet te respektohet nga të gjitha palët.//KosovoInsights