Bllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës: 25 milionët i shkojnë Devollëve

Si pasojë e borxhit ndaj Z-Mobilet, sot janë bllokuar llogaritë e Telekomit të Kosovës.

Ditë më parë, Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka deklaruar se Telekomi i Kosovës i ka gjashtë muaj afat të paguajë borxhin afro 23 milionë euro ndaj Z-Mobilet, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë.

Sipas tij, ishte mbajtur edhe një takim mes Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësuesëve të Telekomit dhe atyre të Z-Mobile. Edhe pse nuk ishte i pranishëm, Balaj tha se Qeveria dhe Telekomi kanë ofruar 250 mijë euro në muaj si ofertë për marrëveshje, por ka shtuar se kjo s’është pranuar nga Z-Mobile.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, me të cilën, ishte lënë në fuqi urdhri për caktimin e përmbarimit për një shumë afër 25 milion eurove. Këtë shumë, Telekomi i Kosovës obligohet që t’ia paguajë kompanisë “Dardafon.net”, pronare e Z-Mobile.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në korrik të këtij viti kishte aprovuar pjesërisht prapësimin e Telekomit të Kosovës, ashtu që kishte shfuqizuar urdhrin për caktimin e përmbarimit të përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, për shumën në lartësi prej 315,996.85 euro.

Por, Themelorja e kishte refuzuar prapësimin e Telekomit për sa i përket shumës prej 24,685.003.15 euro dhe për këtë pjesë, urdhrin për caktimin e përmbarimit të lëshuar nga përmbaruesi Mulhaxha e kishte lënë në fuqi.

Kundër këtij vendimi të shkallës së parë, ankesë në Apel ka ushtruar Telekomi i Kosovës, për shkak të pretendimeve se shkalla e parë kishte shkelur dispozitat e procedurës përmbarimore dhe kishte zbatuar në mënyrë të gabuar të drejtën materiale.

Kosovo Insights, do t’ju mbajë të informuar lidhur me këtë rast.//KosovoInsights