Si po bashkëpunojnë analistët që përkrahin PDK me anëtarët e PSD-së?

PSD është subjekt të cilit i paraprinë ish-sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj. Ai pas mosmarrëveshjeve që kishte me liderin e tanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi që t’i ndante rrugët përfundimisht me këtë të fundit.

Molliqaj kishte vlerësuar se brenda Lëvizjes Vetëvendosje kishte akterë politik të cilët po tentonin që të ndërtonin kultin e individit. Albin Kurti edhe pse atë kohë ishte në burg, po proklamohej si baba i VV. Nën këtë arsyetim dhjetëra aktivistë ishin larguar në mënyrë të orkestruar nga VV, me aktivitetin e tyre të fundit tekzyret e VV në të cilin aktivitet ata kishin shkruar në muret e zyres se: “S’ka babë, ka ide”.

Aktivistët e Vetëvendosjes të cilët përkrahnin linjen e Albin Kurtit kishin bërë thirrje që Dardan Molliqaj me shokë të kandidohej përbrenda për kryetar të VV si kundërkandidat i Albin Kurtit, megjithatë, Molliqaj e kishte refuzuar këtë gjë.

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura me 6 Tetor, PSD nuk kishte arritur ta fitonte asnjë ulëse në Kuvend, duke u etabluar si humbësja më e madhe e zgjedhjeve. Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje kishte arritur që të dilte si njeriu më i votuar në këto zgjedhje duke u bërë pastaj kryeministër pas koalicionit me LDK-në.

Megjithëse qeverisja e Kurtit nuk zgjati më shumë se 50 ditë, pasi LDK vendosi ta “tradhëtonte” duke u bërë me AAK, NISMEN dhe LISTEN SERBE, në këto ditë të qeverisjes së Kurtit ai u përballë me kritika të shumta nga të gjitha anët.

Si dukej kishte një koalicion të fshehtë mes partive politike në Kosovë të cilat ishin bërë kundër Kurtit. Në tjetrën anë, me gjithë kundërshtimet nga të gjitha anët, qeveria e re po përballej me pandeminë dhe me shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike të cilat kishin keqpërdorur buxhetin për vite të tëra.

Këtij opozitarizmi të të gjitha subjekteve politike i ishte bashkangjitur edhe PSD. Molliqaj me shokë po zhvillonte aktivitete kundër Kurtit dhe gjithashtu nga hapësira mediatike të cilat ia krijonin mediat, kryetari i PSD-së e quante kryeministrin Kurti si njeri autoritar.

Pasi që z. Kurti u rrëzua ndodhën zhvillime tjera politike, në të cilat ndër më të spikaturat ishte kjo me Gjykatën Speciale, me ç’rast u arrestuan udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Në mbrojtje të UÇK-së u hodhën pothuajse i gjithë spektri politik, analistët dhe gazetarët. Mirëpo, një gjë që ra në sy ishte edhe koordinimi i plotë i një analisti që vërehet së mbanë anën e PDK-së dhe një zyrtari të PSD-së.

Valon Syla dhe Nol Nushi nëpërmjet statuseve të tyre të bëra në rrjetin social Facebook, vërehet se kishin shkruar pothuajse njëjtë në mbrojtje të UÇK-së. Në statuset e siguruara nga KosovoInsights, të analistit dhe zyrtarit të PSD-së, pas krahasimit të tyre vërehet se nuk ka ndonjë dallim të madh.

Kritikat që kishte marrë Kurti gjatë qeverisjes nga ana e PDK-PSD dhe subjekteve tjera politike dhe gjithashtu artikulimi i njëjtë nga ana e tyre, e bëjnë opinionin publik në Kosovë që të mendoj se në zgjedhjet e ardhme mund të ketë një koalicion të gjerë kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Se a pritet të bashkohen të gjitha subjektet politike në njërën anë dhe Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër kjo mbetet të shihet në momentin kur do të kemi zgjedhje të reja.//KosovoInsights