Skandal – Kryeministri Hoti nuk përfshinë në hartën e Kosovës qytetet me shumicë serbe

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, ka bërë edhe një skandal tjetër.

Ai gjatë paraqitjes së një harte të Kosovës me rastet e të infektuarve me virusin Covid-19, ka lënë anash vendet në të cilat ka shumicë të qytetarëve serbë.

Kjo është një hartë që pasqyron rastet me Covid-19 në të gjitha qytetet e Kosovës. Harta është e përbërë me katër ngjyra, ku ngjyra e gjelbërt pasqyron vendet të cilat nuk janë me rrezikshmëri nga virusi, ndërsa ngjyra e kuqe ato vende të cilat janë me rrezikshmëri të lartë apo thënë ndryshe vendet të cilat kanë mbi 150 të infektuar për 100.000 banorë.

Mirëpo, në këtë hartë vërehet se nuk ka asnjë rezultat apo asnjë të dhënë për 7 qytete të Republikës së Kosovës. Leposaviçi, Mitrovica e Veriut, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku, Zveçani dhe Ranillugu janë komunat nga të cilat nuk është ofruar asnjë e dhënë.

Kryeministri Hoti, këto qytete ose nuk i ka llogaritur si pjesë të Republikës së Kosovës andaj dhe nuk i ka ofruar të dhënat, ose këto qytete nuk e kanë llogaritur Hotin si kryeministër të tyre duke mos ia dhënë kështu rezultatet.

Sidoqoftë, ky skandal i rradhës duhet dhe pritet të sqarohet nga kryeministri i Republikës së Kosovës.