Skandaloze: Ministria e Infrastrukturës e mbajti 10 ditë të fshehur vjedhjen e mbi 2 milionëve nga Thesari i Shtetit

Pasi në mënyrë ilegale, 2 milionë e 77 mijë euro ishin transferuar më 9 tetor, nga Thesari Shtetit në llogarinë e kompanisë private “LDA Group” SH.P.K, pronë e Valon dhe Kadri Shalës, pas vjedhjes zyrtari Kryesor i Financave të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka njoftuar krerët e saj për rrjedhën e ngjarjes.

Vetëm nëntë ditë pas skandalit, ai i ka lutur zyrtarët e MI që t’i bllokojnë user-ët prej nga janë transferuar paratë, derisa i pari i Ministrisë dhe Sekretari i saj s’e kanë komentuar rastin.

Nga Thesari tek kompania ishin kryer katër transaksione: 622 mijë euro; 375 mijë euro; 330 mijë euro; 750 mijë euro.

Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave.

Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.

Vetëm një ditë më pas, më 10 tetor, Zyrtari Kryesor i Financave, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.

Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të minsitrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.

I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Insfrastruturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transkasionet e mijëra eurove.

“1. Kompania: LDA Group SHPK – nuk është klient i MI-së; 2. Kërkesa për regjistrim në Furnitorit është bërë me datë 09/10/2020 nga Hasan Krasniqi – të cilin në MI nuk e njohim, dhe nuk është pjesë e jona: 3. Zotimet janë përdorur ato të më hershmet të cilët kanë qenë të regjistruar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK); 4. Urdhërblerja është nxjerr me datë 09/10/2020/ nga Useri AAlijaji – i cili User nuk është pjese e MI dhe nuk e njohim; 5. Pranimi i mallit është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri me emrin HASANK1 – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 6. Shpenzimi është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri BSelmani – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 7. Certifikimi është me datë 09/10/2020 ora 12:41 nga Useri FazliuF – i cili User është pjesë e Kërkesës sonë të datës 28.01.2020 është aktiv, por që nga muaji mars nuk e ushtron këtë detyrë sepse është transferuar në NJRPSH-Mitrovicë”, thuhet në e-mail-in e Zyrtarit Kryesor të Financave të bërë më 10 tetor, vetëm një ditë pas avullimit të 2 milionë eurove.