Sot luhen tri ndeshje në Superligën e Kosovës

Java e 26-të në Superligën e Kosovës do të fillojë këtë të mërkurë me tri duele interesante. Dy skuadrat gjilanase, që njëherit janë edhe pretendente për titull, Drita dhe Gjilani, kanë transferta të lehta në letër kundër skuadres së Vushtrrisë dhe atë të Dukagjinit, derisa ndeshje e nxehtë pritet të jetë ajo në mes Trepçës 89 dhe Flamurtarit, të cilat i ndajën vetëm 5 pikë në luftën për mbijetesë.

Drita e Ardian Nuhiut kërkon të përsërisë suksesin e dy sezoneve më parë, duke u shpallur kampion i Superligës, derisa rivali i përbetuar SC Gjilani i Gentian Mezanit është në kërkim të titullit të parë në historinë e Superligës së Kosovës. Gara është mjaft e vështirë pasi që në këtë “luftë” është edhe Prishtina, e cila me ngulm po kërkon rikthimin te titulli pas shumë viteve mungesë. Gjithashtu edhe skuadra simpatike e Ballkanit, që me Ismet Munishin, ka arritur të krijojë një futboll mjaft të bukur, duke e përfunduar stinorin dimëror si lider.

Në anën tjetër, Flamurtari ka befasuar me pozitën në tabelë, duke i ikur kështu rënjes nga kategoria edhe pse këtë vit do të largohen plot 4 skuadra. Lufta për t`i ikur pozitës së nëntë që të dërgon një kategori më poshtë, do të jetë mjaft e ashpër, pozitë kjo që për momentin mbahet nga Trepça 89, e cila me një fitore eventuale sot, vetëm sa do ta bënte më interesant kampionatin në vazhdim.

24/06
Vushtrria – Drita
Trepça 89 – Flamurtari
Dukagjini – Gjilani