Suspendohet polici që shkelmonte protestuesit

Komandanti i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri, është suspenduar nga puna. Ai është suspenduar pasi ka shkeluar masat emergjente për parandalimin e virusit Covid-19, të vëna nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për suspendimin e Amir Gërgurit e ka konfirmuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj.

Të shtunën që shkoj, pra me datë 18 Mars 2020, pas një fotoje të publikuar në rrjetin social Facebook, polici Gërguri ishte parë nën shoqërimin e vëllaut të Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçit. Takimi gostitës mes Gërgurit, vëllaut të Presidentit dhe disa të tjerëve ishte bërë në fshatin Burojë, pra në vendlindjen e Hashim Thaçit. Në foto vërehet cakërrimi i gotave të birrës dhe entuziazmi i të pranishmëve në gjithë atë gosti.

Arsyet e kësaj gostie me alkool nuk dihen, megjithatë, grumbullime të tilla në këtë kohë pandemie janë të rrezikshme dhe gjithashtu të ndaluara sipas vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak se mund të ndikojnë në përhapjen e Pandemisë Covid-19.

Lidhjet e afërta të këtij polici me vëllaun e Thaçit, mund të presupozohet se kanë amnistuar edhe dhunën brutale të përdorur nga Gërguri, në protestat e vitit 2012. Në një protestë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Amir Gërguri kishte shkelmuar protestuesit e shtrirë në rrugë.

Për dhunën e përdorur në atë kohë, ishin dhënë kritika të ashpëra nga njerëz të shoqërisë civile, publicistë e shkrimtarë. Publicisti Shqiptar Oseku në një pjesë të shkrimit të tij drejtuar Komandantit kishte thënë:

Puna është se, për mua e për tjerët që e shikojmë atë fotografi, ti del i keqi aty. Sepse ti e ke uniformën. Sepse ai është i shtrirë. Sepse ti me uniformë e shkelmon një qytetar të shtrirë. Ti e di, natyrisht, që kjo është vepër penale. Në një shtet ligjor, ti për këtë shkelm do të ndiqeshe penalisht, për abuzim të detyrës zyrtare. Dua që të mendosh vetë, se çka dmth për uniformën tënde, e për shtetin që ti e mbron, fakti që ty askush nuk të ndjek penalisht.

Komandanti i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës asnjëherë nuk është gjykuar për abuzim të detyrës zyrtare. //Kosovo Insights