Tahiri ia bën të qartë Bernabiqit: Kosovën e ruan populli i vetë, gjaku i dëshmorëve

Ndaj betimit të djeshëm të Bernabiqi ka reaguar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri.

Tahiri i ka dërguar porosi Bernabiqit dhe 23 ministrave të kabinetit të saj se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet e gjaku i dëshmorëve.

“Anëtarët e Kabinetit Bernabiq mbrëmë lexuan tekstin e betimit, i cili ndër të tjera thotë: “Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë”. Bernabiqi dhe 23 ministrave të kabinetit të saj ju them se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet, gjaku i dëshmorëve, institucionet demokratike dhe e drejta jonë kombëtare e ndërkombëtare”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij ‘facebook’.

Tutje ai e ka quajtur hipokrizi që në njërën anë të kërkohet dialog e normalizim të marrëdhënieve, e në anën tjetër të bëhen deklarata të pamatura .

“Është hipokrizi e madhe që në njërën anë të kërkohet dialog e normalizim i marrëdhënieve e në të tjetrën me deklarata të pamatura nxitje të konfliktit! Një gjë është e qartë, Republika e Kosovës kurrë më nuk do të ruhet e kthehet nga Serbia”, përfundon shkrimi i Tahirit.