Teatrot në Kosovë i anulojnë shfaqjet sot për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar në Shqipëri

Teatrot në Kosovë i kanë anuluar shfaqjet për ditën e sotme. Ky anulim i shfaqjeve ka ardhur në shenjë proteste për rrënimin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Teatri i Gjilanit e ka anuluar shfaqjen “Skenderbeu ose Dashuri dhe Liri” që ishte planifikuar të jepej sonte online për shkak të shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

“Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përgjithmonë”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Shfaqja “Skenderbeu ose Dashuri dhe Liri” ka qenë e planifikuar të jepej sonte në të gjitha faqet e teatrove të Kosovës.

“Me rastin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, sot anulojmë shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Skenderbeu ose Dashuri dhe Liri”, që ishte planifikuar të jepet sonte online / livestream në faqet e të gjitha teatrove të Kosovës, pjesëmarrëse në kalendarin e përbashkët për muajin maj”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Sot, në orët e para të mëngjesit, ka filluar rrënimi i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Rrënimi i tij ka qenë temë diskutimi për vite me radhë, duke shkaktuar protesta e polemika të shumta.

Edhe sot, gjatë rrëzimit të objektit të Teatrit Kombëtar të Tiranës, artistë e qytetarë që kanë qenë kundër rrëzimit të tij, kanë dalë para objektit duke u konfrontuar edhe me Policinë.