Thaçi: Në asnjë rrethanë nuk do të ketë amnisti për gjenocidin serb

Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë një deklaratë për media pas homazheve në fshatin Meje.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për idenë e amnistimit të krimeve serbe në Kosovë, që u përmend para pak ditësh nga gazetari Baton Haxhiu.

Presidenti Thaçi e ka quajtur gjenocid atë se çfarë Serbia ka bërë në Kosovë gjatë kohës së luftës.

“Ky është një gjenocid i shtetit të Serbisë. Fatkeqësisht ende i pandëshkuar. Kjo heshtje ndërkombëtare nënkupton një lloj amnistimi të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, mirëpo nuk do të ketë në asnjë rrethanë, nga askush amnisti përballë krimeve dhe gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë”, u shprehë presidenti i vendit.

“Nuk ka paqe pa drejtësi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi bashkërisht me ndërkombëtarët që ky gjenocid e këto krime të ndëshkohen”, tha në mes tjerash Thaçi.

Deklarimi i gazetarit Baton Haxhiu ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Ai në një intervistë dhënë për një televizion në Kosovë kishte deklaruar në mes tjerash se “Nuk ka nevojë të dënohet askush 20 vjet pas luftës”.

Përveç Thaçit, ndaj deklaratës së Haxhiut kanë reaguar shumë zyrtarë shtetëror e politik, përfshi edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. //kallxo

Burimi i informacionit: kallxo .com