Time Kadrijaj shpërndau jashtëligjshëm informacionin e personave me diagnozë shëndetësore

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila tha se ministri Arben Vitia ka amnistuar nga karantina aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje që vlerësohen si raste psikiatrike.

Përmes një shkrimi në Facebook, Nagavci ka thënë se Kadrijaj nuk do duhej të publikonte të dhënat e pacientëve me diagnozë shëndetësore.

“Në përpjekje për të goditur pa të drejtë ministrin e shëndetësisë, zt. Arben Vitia, deputetja e AAK Time Kadrijaj, paska publikuar një dokument zyrtar me të gjitha të dhënat e pacientëve përfshi dhe të dhënat e diagnozës shëndetësorë. I njëjti postim qenka publikuar si lajm dhe nga disa media online”, shkruan Nagavci.

Sipas nënkryetares të Kuvendit, Kadrijaj ka bërë veprim të jashtëligjshëm në shpërndarjen e informatës në fjalë. Ndërsa e ka cilësuar si veprim të duhur, vendimin e ministrit Arben Vitia.

“Në dokument shifet se shënon qartë se vendimi është marrë pas konfirmimit dhe vlerësimit shëndetësor të ekipit specialistik, se të gjithë personat e liruar nga karantina duhet të shkojnë në vet izolim dhe të respektojnë të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHP. Kjo nuk e ka penguar as znj. Kadrijaj e as disa portale të shpërndajnë jashtëligjshëm këtë informatë”, thotë më tej, përcjellë Kosovo Insights.

Nagavci i ka bërë thirrje deputetes së AAK-së ta heq dokumentin e shpërndarë sepse thotë se është i ndaluar edhe me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Përpos që është mjeke me profesion dhe do duhej ta dinte se kjo deklaratë bie ndesh me etikën profesionale, si deputete znj. Kadrijaj do duhej të dinte se publikimi i këtyre të dhënave është i ndaluar edhe me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. I bëj thirrje Znj. Kadrijaj që menjëherë të largoj postimin dhe të kërkoj falje për këtë gabim. Të njëjtën gjë duhet ta bëjnë dhe mediat që e kanë publikuar të njëjtën”, thekson Nagavci.

“Me shpresën që beteja politike dhe ambicia për pushtet të mos ndikojnë në humbjen e plotë të arsyes dhe etikës, ju lutem të kurseni të paktën personat që as nuk janë të përfshirë e sidomos pacientët e kategoritë më të ndjeshme”, ka shkruar ajo në fund. //KosovoInsights

Postimi i saj i plotë: