Trajneri i Manchester United: Triumfi i Liverpool-it dhemb

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskajer ka përgëzuar rivalin Liverpoolin për titullin e parë të kampionit në 30 vjetët e fundit, por ka pranuar se çdo herë dhemb të shohësh dikë tjetër duke ngritur trofeun.

Liverpooli i Juergen Kloppit ka siguruar titullin e Premier Leagues pasi Manchester City pësoi nga Chelsea të enjten.

“Çdo skuadër që fiton Premier Leaguen meriton atë dhe meriton lëvdata. Është ligë e vështirë për t’u fituar. Punë e mirë nga Juergeni dhe lojtarët e tij. Sa herë që sheh dikë tjetër duke ngritur trofeun, kjo dhemb. Kjo është ndjenja e të gjithëve të lidhur me Manchester Unitedin, lojtarëve dhe tifozëve. Ne duam të kthehemi te trofetë dhe kjo është sfida jonë”, ka thënë Solskjaer në një konferencë virtuale për shtyp.

Liverpooli e ka mundësinë që të filloi një periudhë dominimi, çfarë e kishte në vitet 1970-ta dhe 1980-ta.

Unitedi nën drejtimin e Alex Fergusonit kishte fituar 13 tituj gjatë 20 vjetëve, në mes të viteve 1993 dhe 2013. Solskjaer beson se do të jetë vështirë për ekipin e Kloppit për të arritur sukses të ngjashëm.

“Sukseset që kishim nën drejtimin e Sir Alex, nuk mendoj se do të jetë e lehtë për askënd për t’i përsëritur”, ka thënë Solskjaer, që ka fituar gjashtë tituj si lojtar, nën urdhërat e Fergusonit.