Tri ditë pas zhdukjes së milionave të Thesarit të Kosovës djemtë e bashkë-pronarëve blenë dy vetura luksoze

Prej vjedhjes spektakulare nga Thesari i Kosovës mbi 2 milionë e 77 mijë euro, pjesa më e madhe apo 1 milionë e 300 mijë euro, nga llogaria e LDA grupit janë shpërndarë në 17 xhirollogari tjera.

Sipas raportimit të mediave, 300 mijë euro të tjera, nga LDA Group janë transferuar në xhirollogarinë e Gashi Komerce Sh.P.K, një firme private me bazë në Suharekë.

Bazuar në regjistrin e të dhënave pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronarë të Gashi Komerce Sh.P.K figurojnë Gëzim dhe Mevlide Gashi, ku që dy zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve të firmës, e cila merret me prodhimin e artikujve të plastikës për ndërtimtari.

 

 

Vetëm tri ditë pas zhdukjes së milionave të Thesarit, secili nga dy djemtë e bashkë-pronarëve të Gashi Komerce Sh.P.K, u bënë pronarë të dy veturave të reja të markës gjermane Audi.

Kjo aludohet në një postim nga bashkëshorti i Mevlide Gashit dhe vëllait të Gëzim Gashit, i cili uroi djalin e nipin e tij për blerjen e dy veturave të reja në një sallon automobilësh në Prishtinë.