Trump paralajmëron arrestime të reja për ata që rrëzuan statujat

Shumë monumente që kanë të bëjnë me skllavërinë dhe kolonizimin nga evropianët janë dëmtuar ose rrëzuar kohëve të fundit në protestat e mbajtura në SHBA.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar se do të arrestojë kryesit e këtyre veprave dhe të tjerët që mund t’i bëjnë të njëjtat, duke i kërcënuar edhe me dënim deri në 10 vjet burgim, raportoi Reuters të martën.

Trump shtoi se rregulli i ri do të aplikohet “në mënyrë retroaktive” që do të thotë se do të dënohen edhe ata që shkatërruan këto vepra në javët e shkuara, transmeton KOHA.

“Kam autorizuar Qeverinë Federale të arrestojë këdo që vandalizon apo shkatërron çfarëdo monumenti, statuje apo prone tjetër në SHBA me dënim deri në 10 vjet burgim, me anë të Ligjit për Ruajtjen e Memorialëve të Veteranëve” tha Trump në një postim në Twitter të martën.

Një valë e madhe e protestave kanë përfshirë SHBA-në që nga 25 maji kur George Floyd u vra nga një polic në Minneapolis, Minnesota.

Që nga atëherë, monumentet nga epoka e luftës civile e asocuar me skllavërinë dhe kolonizimin e indianëve amerikanë nga evropianët, kanë qenë shënjestër e shkatërrimeve.

Të hënën mbrëma, protestuesit u përpoqën të rrëzojnë statujën e ish-presidentit Andrew Jackson afër Shtëpisë së Bardhë para se të ndaleshin dhe të shpërndaheshin nga Policia.