Ndahet nga jeta poeti i shquar shqiptar

I lindur më vitin 1943 në Prizren, Adem Zaplluzha, ishte ndër të rrallët që kishte pasuruar letërsinë kosovare me poezitë e tij mbresëlënëse. Veprimtaria e tij është mjaftë e gjerë dhe aktive, ku gjatë jetës së tij kishte arritur të shkruante përplotë 200 libra me poezi.

Poeti Zaplluzha, i lindur në Prizren, studimet i kishte kryer në Universitetin e Prishtinës në degën e Pedagogjisë. Si i ri kishte punuar si mësues në një fshat të Prizrenit. Gjithashtu ka punuar edhe si përkthyes legal në Koorporatën Energjetike të Kosovës deri në fund të karierës së tij.

Adem Zaplluzha kishte shkruar poezi qysh në rininë e tij të hershme, por libri i tij i parë me poezi është botuar në vitin 1974 dhe është botuar në Shtëpinë botuese: “Rilindja” me titullin “Puthje”.

Libri jubilar i tij i 200 dhe i fundit është shkruar në vitin 2020 dhe mban titullin: “Mbetëm sërish në fillim”.

Ai ishte edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Gjithashtu është nderuar me çmimin për Arritje Jetësore nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit. Po në vitin 2013, Fatmir Minguli kishte bërë përmbledhjen e eseve kritike mbi poezitë e Adem Zapllushës të cilën e kishte botuar në librin e tij: “Revoltë dhe meditim mbi poetikën e Adem Zapllushës”.