Zbulohen edhe pesë varreza të reja në Kizhevak të Serbisë

Në Kizhevak të Serbisë, janë zbuluar edhe pesë varreza të reja, për mbetjet mortore të disa personave që dyshohet të jenë të personave që janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.

“Po deri më tani janë zbuluar pesë varreza. Jemi duke gjetur mbetje mortore dhe do të punojmë deri sa të na lejojnë kushtet atmosferike”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Sipas EULEX-it, mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e EULEX-it, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur. Gjithashtu, EULEX-i sqaron se ekspertët e saj kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, siç thuhet në komunikatë, ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

Pas kërkesës për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi këto imazhe fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ekspertët e EULEX-it i kanë analizuar fotografitë dhe në bazë të analizave, në muajin shkurt është përcaktuar vendndodhja e saktë e lokacionit.

Ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni Qeveritar i Serbisë për Personat e Zhdukur, kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të pagjetur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, ka theksuar koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, të premten, ka vizituar varrezën masive në Kizhevak, në afërsi të Rashkës//Kosovo Insights