Zgjedhjet e parakohshme në Janar 2021!

Rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, përjedhojë zyrtarisht Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Pas vendimit të Kushtetueses, nga Presidenca kanë bërë të ditur se u.d e presidentit Vjosa Osmani do t’i ftojë partitë për konsultime lidhur me datën.

Derisa, sipas Eugen Cakollit nga KDI kjo do të thotë se zgjedhjet i bie të mbahen me datë 24 janar të vitit 2021.

“Nëse U.D. e Presidentit shpallë sonte ose nesër dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me shumë gjasë, i bie se zgjedhjet do të mbahen më 24 janar të vitit të ardhshëm”, ka theksuar Cakolli.//Kosovo Insights