Zyrtare: Masat e reja anti Covid në Kosovë nga e Premtja hynë në fuqi

Nga nesër në Kosovë, do të aplikohen masat e reja anti COVID, pasi të njejtat janë miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, shkruan “Kosovo Insights”.

Varësisht se në cilat zona të rrezikshmërisë gjenden komunat e vendit, janë marrë masa strikte, derisa në Prishtinë dhe 6 komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë orë policore.

 

Komunat në zonën e gjelbër, me rrezik më të ulët të përhapjes së infeksionit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 19:00.

 

Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.

Taksitë do të lejohen të punojnë me 1 pasagjer prapa, ndërkaq lejohen tre pasagjerë nëse ata janë anëtarë të një familjeje.

Qendrat tregtare në këto komuna do të lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 7 të pasdites, ndërkaq edhe gastronomisë e hotelerisë i ndalohet puna pas orës 19:00, përveç shërbimit “merr me vete”.

Për komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në orën 18:00.

Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve, derisa taksitë do të lejohen të punojnë me një pasagjer prapa, përveç në rastet kur janë anëtarë të një familjeje, lejohet të jenë deri në pesë pasagjerë.

Qendrat tregtare në komunat që bëjnë pjesë në zonën e gjelbër do të lejohen të punojnë nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 6 të mbrëmjes, derisa edhe hotelerisë e gastronomisë i ndalohet veprimtaria pas orës 18:00.

Komunat në zonën e kuqe, në atë të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së koronavirusit do të kenë masa më të rrepta.

Në ato komuna do të ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve përveç personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve.

Hyrja do të ju lejohet edhe qytetarëve që kanë nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale të ushqimit dhe barnave për njerëz dhe kafshë, do të lejohet hyrja e operatorëve ekonomikë dhe transportit të lirë të mallrave apo shërbimeve që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit.

Kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike do të lejohen po ashtu.

Gastronomisë do t’i ndalohet puna, përveç shërbimit “merr me vete”, “porosi me dërgesë” dhe “shërbimit për mysafirët e hotelit”.

Edhe qendrave tregtare do të ju ndalohet veprimtaria.

Institucionet publike dhe private do të punojnë vetëm me stafin esencial.

Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer, ndërkaq nëse janë anëtarë të familjes do të lejohen tre pasagjerë.

Në qytetet që janë në zonën e lartë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit do të ndalohen aktivitetet kulturore.

Do të ndalohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, përveç garave të ligës kombëtare dhe ndeshjeve për kualifikime ndërkombëtare.

Puna do të ju ndalohet edhe fitneseve e pishinave të mbyllura.

Komunat në zonën e kuqe deri para dy ditësh kanë qenë: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimja. Në zonën e gjelbër kanë qenë: Prizreni, Dragashi, Klina, Istogu, Malisheva etj. Në zonën e verdhë kanë qenë: Ferizaj, Kamenica, Skenderaj, Vushtrria, Mitrovica, Drenasi, Mitrovica e Veriut.//Kosovo Insights